
Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për disa problematika sa i përket votës së diasporës, në momentin kur ka nisur dërgimi i zarfave të fletëve të votimit. Përfaqësuesit ligjorë të PD-së në KQZ i kërkuan komisionerit Ilirjan Celibashi procesverbale të përditshme, pasi u konstatua prodhimi i dy zarfeve “B” për të njëjtin zgjedhës; problemi i adresës, mospërputhja me kodin postar, si dhe vendosja e të njëjtit label adrese në dy zarfe të ndryshme – çka shton mundësinë që një person të marrë dy zarfe votimi.
Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur dërgimin e fletëve të votimit në diasporë, Partia Demokratike ka hedhur dyshime për manipulimin e procesit të përgatitjes së votës së emigrantëve. Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ku rendit tre problematika të konstatuara gjatë përgatitjes së dokumentacionit, të cilat mund të cënojnë integritetin e procesit.
Përfaqësuesit e PD-së ngritën shqetësimin për prodhimin e dy zarfeve “B” për të njëjtin zgjedhës; për problemin e adresës (mospërputhjen me kodin postar); si dhe për vendosjen e të njëjtit label adrese në dy zarfe të ndryshme, duke kërkuar që adresimi i këtyre problematikave të dokumentohet në një procesverbal çdo ditë.
Në vijim të email-it të mësipërm dhe verifikimeve që kryem në pallatin e sportit “Feti Borova”, u konstatuan tre problematika:
Prodhimi i dy zarfeve “B” për të njëjtin zgjedhës;
Problemi i adresës (mospërputhja me kodin postar);
Vendosja e të njëjtit label adrese në dy zarfe të ndryshme.
Megjithëse na u shpjegua nga drejtoresha e zgjedhjeve dhe drejtori lokal i DHL-së për masat që janë marrë për adresimin e këtyre problematikave, kërkojmë që ato të dokumentohen në një procesverbal në fund të çdo dite, duke saktësuar numrin e rasteve, qarkun përkatës dhe zgjidhjen e ofruar. Procesverbali me shkrim t’u vihet në dispozicion përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore.
Printimi dy herë label-i i adresës për të njëjtin zgjedhës, nënkupton mundësinë që një person të marrë dy zarfe me fletë votimi. Vëzhguesit e PD identifikuan të paktën 14 raste të tilla, por ekziston mundësia që numri i tyre të jetë më i madh.
© SYRI.net