
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në konferencën për shtyp të mesditës se, sipas tij, Këshilli i Mandateve “de facto” i ka hequr mandatin Belinda Ballukut, duke theksuar se mbledhja ishte plotësisht e vlefshme.
“Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut.
Mbledhja është plotësisht valide.
Do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë Niko Peleshi.
Edi Rama pretendon për tre javë dhe se nuk kanë lexuar dosjen në një kohë kur Pamela ka lexuar dosjen dhe videot, jo vetëm mesazhet.”
Berisha akuzoi shumicën dhe kryetarin e Kuvendit për pengim të drejtësisë, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për çdo vonesë të mëtejshme. Ai kritikoi pretendimet se dosja nuk është lexuar, duke thënë se materialet janë shqyrtuar dhe se vonesat synojnë, sipas tij, shkatërrimin e dokumenteve. Sipas Berishës, PD do t’i përgjigjet situatës me rrugë ligjore dhe protesta të ligjshme.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se kanë skaduar tre javët nga kërkesa e SPAK për lejimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Bardhi e cilësoi situatën “të paprecedentë”, duke deklaruar se Kuvendi i Shqipërisë po kthehet në “bunkerin e të korruptuarve”.
Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për shpërdorim detyre për shkak të mosmbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj tij. Sipas Bardhit, SPAK mund të veprojë edhe pa autorizimin e Kuvendit në rastet e flagrancës, ndërsa Kuvendi duhet të shprehet brenda 24 orëve për vijimin e masës.
PD këmbëngul se vonesat përbëjnë pengim të drejtësisë dhe se opozita do të vijojë veprimet ligjore dhe politike për të garantuar, sipas saj, interesin publik.




