Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli ka deklaruar nga selia e PD se fshehja e bilanceve të kompanisë së fluturimeve “Air Albania” ngre pikëpyetje për një krizë financiare.

 

Sipas Vangjelit, në muaj qershor u raportua se do të krijoheshin fluturimet direkte mes Tiranës dhe Lubjanës, por sipas saj disa muaj më pas u raportua në mediat sllovene se planet u anuluan për shkak të vështirësive financiare.

“Më 20 Qershor Air Albania e shpallur nga KM Edi Rama si ‘krenaria kombëtare’ njoftoi nisjen e fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Lubjanës, duke rilidhur Shqipërinë dhe Slloveninë pas disa vitesh.

Por dy muaj më pas, më 20 Gusht, mediat Sllovene informuan publikun se kompania i anuloi planet për këtë linjë për shkak të vështirësive financiare.

Dhe kjo nuk është aspak çudi. Air Albania, themeluar në vitin 2018 me 10% pronësi shtetërore përmes Albcontrol ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e saj për vitin e parë të operimit (2018), më pas asnjë publikim lidhur me pasqyrat financiare të kësaj shoqërie.

Mungojnë gjithashtu të dhëna për vendime gjyqësore dhe njoftime zyrtare nga përmbarues privatë për detyrimin miliona euro të Air Albania kundrejt palëve të treta.

Kjo fshehje ngre dyshime për krizën e thellë financiare të kompanisë”, thekson Vangjeli.

Më tej zëdhënësja e antikorrupsionit në PD shprehet se: “Që prej 2020-s, Air Albania ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare për ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme charter për KM e RSH.

Opozita ka kërkuar transparencë dhe një komision hetimor për udhëtimet e Kryeministrit me charter, por kjo u rrëzua nga mazhoranca.

Sot kërkojmë që Kryeministri dhe kompania të japin përgjigje: a po shkon drejt falimentimit ‘krenaria kombëtare’ për shkak të shpenzimeve të papërballueshme që vijnë nga udhëtimet charter të Edi Ramës?”./panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu