Partia Demokratike tha se ka dërguar pranë OSBE-ODIHR-it, si dhe përfaqësive diplomatike në Tiranë prova e fakte që sipas saj provojnë përshkallëzimin e blerjes së votës nga ana e funksionarëve dhe kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas demokrates Vokshi, janë përdorur pagesa në para apo dhe premtime për punësim në këmbim të votës.

“Që nga muaji Mars është vënë re përshkallëzimi i blerjes së votës. Një rritje të ndjeshme të rasteve të blerjes direkte të votës, veçanërisht në zonat rurale apo në komunitetet e varfra. Janë përdorur pagesa në para, ndihma ushqimore, koncentrat për blegtori, premtime për punësim informal në këmbim të votës. Ka video, dëshmi, foto dhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë dëshmuar se funksionarë dhe kandidatë të Partisë Socialiste po shpërndajnë para apo premtojnë përfitime financiare ose përfitime të tjera kundrejt votës. I kemi dërguar zyrtarisht tek Misioni i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, tek Misioni i OSBE-së në Tiranë, në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe disa përfaqësi të tjera dhe ambasada”, tha Albana Vokshi./Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu