
Tiranë, 17 tetor 2025 — Partia Demokratike e Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të fortë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar luftën e saj si “faqen më të ndritur të historisë së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga luftërat e Skënderbeut”.
Në qëndrimin zyrtar, PD thekson se pa sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së, “Kosova nuk do të ishte kurrë një vend i lirë dhe i pavarur”. Ajo kujton se UÇK-ja ishte aleate e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1999, duke e cilësuar këtë luftë si “të fundit çlirimtare në Europë që i dha fund pushtimit serb të Kosovës”.
Partia Demokratike thekson se ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe po ndjek me vëmendje procesin në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, mes të cilëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Sipas PD-së, “në këtë proces të zgjatur nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë për asnjërën prej akuzave”, ndërsa “akuzat monstruoze si ajo e ‘shkuljes së organeve’ janë rrëzuar plotësisht”.
Në deklaratë theksohet se procesi “është i bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiqtë e kombit shqiptar që kërkojnë të barazojnë pushtuesin me çlirimtarin”.
PD i bën thirrje trupit gjykues të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së “në respekt të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë”.
Gjithashtu, partia përshëndet protestën paqësore të zhvilluar në mbështetje të tyre, por dënon “çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës”.
Ndërkohë, në një njoftim të dytë për shtyp, PD ka mohuar zërat se ka dhënë ndonjë urdhër për bojkotin e mitingut mbështetës për UÇK-në.
“Spekulimi banal se ekziston një urdhër i tillë është pjesë e skenarit anti-opozitar të Ramaduros”, thuhet në reagimin e firmosur nga drejtori i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit, Alfred Lela.
Në përfundim, PD thekson se “kauza e UÇK-së, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës janë jo vetëm të drejta, por pjesë e nderit të përjetshëm të kombit shqiptar”.
📎 Deklarata e plotë në faqen zyrtare të PD-së