Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u ka dërguar përfaqësive diplomatike në Shqipëri një raport mbi atë që opozita e cilëson si cenim të të drejtave kushtetuese dhe dobësim të standardeve demokratike në Kuvend. Dokumenti i është përcjellë zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Sipas këtij raporti, gjatë gjashtë muajve të fundit të legjislaturës, shumica parlamentare ka refuzuar një sërë mekanizmash kontrolli, përfshirë komisionet hetimore, interpelancat, mocionet me debat dhe kërkesat për informacion.

PD thekson se opozita është përjashtuar gjithashtu nga procese të rëndësishme, si ai i integrimit europian dhe nga emërimet në institucionet e pavarura, duke ngritur shqetësime edhe për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në raport thuhet se kjo situatë e bën rolin e opozitës “thjesht formal” dhe krijon një “fasadë normaliteti”, që sipas tyre cenon parimet bazë të parlamentarizmit demokratik.

Demokratët paralajmërojnë se, nëse opozita nuk arrin të ushtrojë funksionin e saj mbikëqyrës dhe ligjbërës, vihet në pikëpyetje vetë roli i saj në Parlament.

Në përfundim, PD thekson se Shqipëria nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Europian vetëm përmes deklaratave, por përmes respektimit të standardeve demokratike dhe funksionimit real të institucioneve, duke nisur nga Kuvendi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu