
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një protestë kombëtare më 12 mars, në orën 10:00, para Kuvendit të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që të bashkohen në protestë për t’i dhënë, sipas tij, “përgjigjen e merituar” kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Ai iu drejtua gjithashtu punonjësve të policisë, ushtarakëve dhe administratës publike, duke u kërkuar që të mos mbështesin, por të denoncojnë dhe të kundërshtojnë atë që e cilësoi si regjim.
Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në skandale, ndërsa theksoi se protesta e 12 marsit do të jetë, sipas tij, një moment i rëndësishëm politik.
“Më 12 mars, në ora 10:00, e gjithë Shqipëria tek Parlamenti. T’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, kjo ditë do të shënojë atë që e quajti “pranvera e demokracisë” dhe fillimin e përmbysjes së qeverisë.



