
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë sot mesazhin zyrtar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në urimin e tij, Rubio vlerëson miqësinë e fortë mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët në çështjet e sigurisë.
“Urime popullit shqiptar në Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara mbeten krenare për partneritetin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm,” shkruan mes të tjerash Rubio.
Ai thekson se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë është thelbësor për garantimin e stabilitetit në vend dhe në rajon.

“Së bashku me qeverinë shqiptare, po forcojmë institucionet e drejtësisë dhe bashkëpunimin me forcat ligjzbatuese. Ky partneritet i bën qytetarët më të sigurt, teksa përballemi me kërcënimet nga grupet kriminale,” deklaron Rubio.
Mesazhi i Sekretarit të Shtetit vjen në një moment ku agjencitë shqiptare dhe amerikane po intensifikojnë operacionet kundër kriminalitetit të organizuar, trafikut dhe aktiviteteve të tjera që cënojnë sigurinë kombëtare.
Rubio përmbyll urimin duke nënvizuar se SHBA mbetet “një aleate e palëkundur e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, sigurisë dhe prosperitetit”.







