Më 10 korrik 2025, në Bashkinë e Kukësit u zhvillua analiza gjashtëmujore e punës për periudhën janar–qershor, ku u shqyrtua performanca e strukturave dhe nivelit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në përfundim të këtij vlerësimi, kryetari i Bashkisë Kukës vendosi shkarkimin nga detyra të 14 administratorëve të njësive administrative dhe të 2 nënkryetarëve të bashkisë. Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim u mor “në funksion të përmirësimit të punës dhe rritjes së nivelit të shërbimit ndaj qytetarëve”.

“Puna do të vijojë me fokus në përmirësimin e treguesve të performancës në të gjithë sektorët ku janë evidentuar problematika, si dhe me vëmendje të shtuar ndaj cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, thuhet në deklaratën e bashkisë.

Ndërkohë, një valë dorëheqjesh është regjistruar edhe në Bashkinë e Korçës, ku disa burime konfirmojnë se 14 administratorë të njësive administrative kanë dorëzuar dorëheqjen pranë kryetarit të bashkisë, Sotiraq Filo. Ata do të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e pasuesve të tyre. Dy nënkryetarët e Bashkisë Korçë nuk kanë dhënë dorëheqje dhe nuk u është kërkuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Bashkinë e Kolonjës, ku tre drejtues njësish administrative kanë dhënë dorëheqjen.

Sipas burimeve, pritet që kjo valë të përhapet edhe në bashkitë e tjera të qarkut, konkretisht në Maliq, Devoll dhe Pogradec, ku priten zhvillime të ngjashme në ditët në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu