Koncepti i “jetesës së ndarë, por së bashku” ka qenë shpesh i lidhur me njerëzit më të rinj në moshë. Por një studim i ri ka treguar se edhe për ata që janë mbi 60 vjeç, ky model mund të sjellë përfitime për shëndetin mendor.
Sipas studimit më të madh të këtij lloji, individët në moshë të madhe që zgjedhin jetesën ndaras, por të ruajnë marrëdhënien, përfitojnë në mirëqenien mendore si ata që janë të martuar ose jetojnë bashkë, por pa stresin dhe ngarkesat që lidhen me bashkëjetesën, si marrëdhëniet intensive të përditshme, angazhimet për kujdes dhe detyrimet ligjore që e bëjnë më të vështirë largimin nga një marrëdhënie e pakënaqshme, ka shkruar “The Guardian”.
Ky studim, i udhëhequr nga profesori Yang Hu i Universitetit Lancaster dhe Dr. Rory Coulter i Universitetit të Londrës, tregon se për të moshuarit, jetesa ndaras është më e zakonshme sesa martesa.
“Për ata mbi 60 vjeç, koncepti i jetesës ‘të ndarë, por së bashku’, është 10 herë më i zakonshëm se martesa. Çiftet që zgjedhin këtë model marrëdhënieje shpesh përjetojnë përfitime mendore të barabarta, duke ruajtur ekuilibrin mes intimitetit dhe pavarësisë personale, i cili është veçanërisht i dobishëm në vitet e vonshme të jetës”, ka thënë Hu.
Studimi, i bazuar në të dhënat e studimit më të madh britanik të njohur si “Shtëpia e Familjes” në Mbretërinë e Bashkuar nga viti 2011 deri në 2023, gjithashtu ka zbuluar se marrëdhëniet që njihet me shkurtesën LAT janë më të mira në aspektin e barazisë gjinore, pasi burra dhe gra marrin të njëjtat përfitime mendore. Kjo paraqet ndryshim në krahasim me martesën dhe bashkëjetesën, ku burrat zakonisht përfitojnë më shumë, ndërsa gratë shpesh mbajnë një pjesë më të madhe të detyrave shtëpiake dhe kujdesit.
“Për më tepër, çiftet LAT zakonisht jetojnë afër njëri-tjetrit, ku 64% e tyre jetojnë brenda 30 minutash larg, duke e forcuar kështu lidhjen e tyre, por duke ruajtur gjithashtu hapësirën personale”, ka thënë Hu.
Gjetjet e studimit sugjerojnë se marrëdhëniet LAT janë model i qëndrueshëm për njerëzit e moshuar, duke ofruar mundësi për të mbajtur lidhjet intime pa ndikuar shumë në angazhimet ekzistuese familjare ose duke krijuar ngarkesa të reja.
Ky hulumtim, përveç se hedh dritë mbi një aspekt shpesh të anashkaluar të jetës intime të të moshuarve, ka edhe implikime më të gjera për politikat, veçanërisht në lidhje me shëndetin mendor, kujdesin dhe politikat që lidhen me menaxhimin e shtëpive.
Ho ka theksuar se studimi vë në pah nevojën për njohje më të thellë të rëndësisë së këtij koncepti të jetesës për mirëqenien e të moshuarve, pasi ky model ofron mundësi për intimitet që nuk ndërhyn në angazhimet ekzistuese familjare dhe nuk krijon ngarkesa të reja./koha