
Pas Etilda Gjonajt, edhe kandidati tjetër i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, ka tërhequr kërkesën e bërë më herët pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për marrjen e pamjeve filmike në lidhje me rezultatin zgjedhor.
Tërheqjet e kandidatëve socialistë nga kontestimet individuale mbi rezultatin e votës preferenciale vijnë pas mesazhit të drejtpërdrejtë të kryesocialistit Edi Rama drejtuar strukturave të partisë.
Në një komunikim të brendshëm, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij për iniciativat personale të disa kandidatëve që kanë kërkuar rinumërim apo verifikim të pamjeve filmike, duke i cilësuar si të panevojshme dhe të dëmshme për imazhin e fitores së PS-së.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime e rinumërime e ku di unë për votën preferenciale! Kjo i bie që të hidhet hije mbi njerëzit tanë që kanë ndenjur pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh,” theksoi Rama në mesazhin e tij.
Ai shtoi se diferencat mes kandidatëve fitues dhe ndjekësve janë të mjaftueshme për të mos ngritur dyshime mbi procesin, duke kujtuar se nuk ka asnjë shans që devijimet të kenë qenë të tilla që të ndryshojnë rezultatin.
“Parafytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do i hyjë kësaj rrugë, duke ushqyer qenërinë mediatike, kur në fund mali i mbarsur mos pjellë dot as një mi!”, përfundoi ai./euronews