Pas Dibrës, radhën për reagime e ka pasur Fieri, qark ku Belinda Balluku është deputete dhe drejtuese politike e Partisë Socialiste. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e saj në detyrë, në qendër të qytetit janë shënuar momente festimi.

Banorë të ndryshëm kanë shpërthyer në fishekzjarrë, duke shprehur gëzimin për vendimin e Kushtetueses që rikthen Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Belinda Balluku udhëhoqi Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Fierit, ku PS arriti një rezultat historik me 12 mandate, një nga performancat më të forta elektorale të kësaj force politike në nivel kombëtar.

Kushtetuesja rrëzon pezullimin e GJKKO-së

Gjykata Kushtetuese, me 5 vota pro dhe 3 kundër, ka vendosur rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, duke pezulluar efektet e vendimeve të GJKKO-së që kishin caktuar masën ndaluese të pezullimit nga funksioni publik.

Vendimi u mor pas shqyrtimit paraprak të kërkesës së depozituar nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kryeministrisë dhe Gjykatës së Posaçme, lidhur me pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata Kushtetuese vendosi:

  • kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike, për shkak të interesit të lartë publik;
  • thirrjen si palë të interesuara të SPAK, GJKKO, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës;
  • pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të GJKKO-së për masën “pezullim nga ushtrimi i një detyre a shërbimi publik” ndaj Belinda Ballukut, deri në përfundimin e gjykimit kushtetues.

Gjykata thekson se çështja lidhet me interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, mbi garancitë procedurale dhe imunitetin e anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare, ndërsa seanca plenare për shqyrtimin në themel të çështjes pritet të zhvillohet në vijim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu