
Të mërkurën është raportuar se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka paguar 66 mijë euro nga buxheti i shtetit për një konsorcium, me qëllim largimin e inventarit nga objekti ku më parë kishte selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas raportimeve, ministria ka paguar nga 2 mijë euro për secilën prej 33 hapësirave të ndërtesës, duke përfshirë sallat, korridoret, banjat e katit të dytë dhe bodrumin.
Pas kësaj, Policia e Kosovës ka bastisur të enjten Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që drejtohet nga Faton Peci.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet janë autorizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave për të sqaruar rrethanat e çështjes.
Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Prokuroria Speciale konfirmon bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, lidhen me renovimin e objektit që i takonte AAK-së
Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, e cila ka theksuar se tashmë ka dhënë sqarimet e saj përmes një demanti të dërguar mëngjesin e së mërkurës.
Tutje theksojnë se për rastin në fjalë, organet e rendit dhe drejtësisë le ta kryejnë punën e tyre.
Sipas ministrisë, për të njëjtin objekt ka pasur prova dhe dëshmi për abuzime për vite të tëra, mirëpo reagime ekspeditive të këtij lloji nuk janë ndërmarrë asnjëherë më parë.
“Përgëzime për reagimin e shpejtë dhe qasjen proaktive, megjithëse vjen pas një shkrimi spekulativ medial”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Po ashtu, ministria ka pohuar se raportimi medial është bazuar në pamje të ambienteve që nuk kanë qenë të përfshira në kontratë./Telegrafi/