Tre të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut 2024 që tronditi qytetin e Memaliajt. Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr.3, para godinës së Bashkisë Memaliaj.
Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave. Po ashtu, viktima kanë mbetur kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije po ashtu se i plagosur ka mbetur edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me të vëllanë Shyqyri (Shyqo) Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ai ndodhet në reanimacion në Spitalin e Gjirokastrës dhe ka marrë dy plagë, një në kofshë dhe një në kraharor. Autorët, që dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit. Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të 74-vjeçarit Shyqri Kalemi, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit. Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti që mbeti vdekur ka qenë brenda në lokal.
Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat do të ndihmojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, si edhe mund të hedhin dritë në identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. 3 persona janë shoqëruar në polici dhe kanë dhënë dëshmi.
Pistë hetimi është hakmarrja, pasi 74-vjeçari është babai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ky i fundit dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. I moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur t’i shpëtonin atentateve të mëparshme.
Hakmarrja ndaj Kalemit pistë hetimi
Dyshohet se vrasja ka lidhje me Andrea Kalemin dhe sagën e vrasjeve të nisura në 2022, me eliminimin me eksploziv të Aleksandër Sadikajt, i cili ishte kushëriri i Kalemit, dhe disa muaj më vonë, në Tiranë të biznesmenit Edmond Papa. Një nga pistat e hetimit është hakmarrja ndaj Andrea Kalemit.
RENEA e drejtuesit e lartë të policisë në Memaliaj
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë kanë shkuar në Memaliaj për të ndihmuar në identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Gjithashtu kanë shkuar dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kush është Andrea Kalemi
Andrea Kalemi nuk është emër i panjohur për policinë shqiptare ndërsa rezulton bashkëpronar i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k në Memaliaj për tregtim me pakicë dhe shumicë të produkteve, restorant, pika servisi, parkime, lavazhe, hotele, e më gjerë.
Në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht, më 13 prill 2001. Në 2017-ën u arrestua në Tiranë me 2 të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, kundërshtuan punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Dyshohet se u përfshi në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor 2022, ndërsa arriti ti shpëtojë dy atentave.
Në gusht të 2023 Andrea Kalemi u tentua të vritej në ishullin Pax të Greqisë, por 51 vjeçari mbeti i plagosur, ndërsa në dhjetor të këtij viti u plagos në një burg grek. Ndërkohë në janar 2024, Zamir Kalemi i shpëtoi atentatit kur persona ende të paidentifikuar qëlluan makinën në të cilën udhëtonte pranë rrethrrotullimit të Selitës në Tiranë. Ai u plagos në këmbë.
Atentati në Memaliaj 20 korrik 2024
Të vrarë
1- Shyqyri Kalemi 74 vjeç (babai i Andrea Kalemit)
2- Gledio Muka, 36 vjeç (kamarier)
3- Marsel Çela 47 vjeç (klient)
I plagosur
Artur Kalemi, 57 vjeç (xhaxhai i Andrea Kalemit)
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se objektiv i atentatit të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, 20 korrik 2024, në qytetin e Memaliajt ka qenë Shyqo Kalemi, babai 74 vjeçar i Andrea Kalemit. Plumbat i morën jetën dhe kamarierit dhe klientit të lokalit ndërsa një tjetër u plagos.
Një nga pistat e hetimit është saga e vrasjeve të nisura në 2022, me ekzekutimin me bombë të Aleksandër Sadikajt dhe disa muaj më pas të Edmond Papës. Shqiptarja.com jua sjell në kujtesë të renditura me data.
11 qershor 2022 – Aleksandër Sadikaj vritet në një shpërthim me telekomandë. 27 vjeçari ishte kushëriri i Kalemëve. Sadikaj po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
16 dhjetor 2022 – Gjashtë muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja ishte hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andreë Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Më 9 gusht 2023 Andrea Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij.
Më 14 dhjetor 2023 Andrea Kalemi plagoset me thikë në burgun “Koridhalos” në Greqi. Autori sipas mediave grekte kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian.
Më 8 janar 2024 Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andreë Bodes dhe Albano Velos. Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur si ‘Sanço’
Më 12 janar 2024 Tentohet të vritet vëllai i Andrea Kalemit i njohur dhe si Adriatik Kalemi. Nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt Smartit me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. I riu mbeti i plagosur në këmbë.
Më 20 korrik 2024 ekzekutohet në lokal Shyqo Kalemi, 74 vjeç babai i Andrea dhe Zamir Kalemit. Nga plumbat e kallashnikovit mbeti i vrarë dhe Gledio Muka dhe M. Çela. Pas krimit autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër./Shqiptarja.com