
Kosova pritet të rikthejë pas më shumë se tre dekadash fabrikën e saj të municionit, një projekt strategjik që do të ngrihet në Jahoc të Gjakovës, ku planifikohet zhvillimi i zonës së re industriale. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prodhimet e para me vulën “Made in Kosova” do të dalin në fund të vitit të ardhshëm, duke i shërbyer FSK-së, Policisë së Kosovës dhe tregjeve të eksportit. “Në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë të prodhuar në Kosovë nga një fabrikë shtetërore”, ka deklaruar ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ish-ushtarakë dhe ekspertë të sigurisë e vlerësojnë projektin si një hap të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, sidomos në një kohë kur situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë mbetet e brishtë. Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, paralajmëron se në rast të krizave globale blerja e armatimeve mund të bëhet e vështirë, ndaj prodhimi vendor është thelbësor. “E shoh jashtëzakonisht të dobishme ndërtimin e kësaj fabrike, sidomos nëse projekti është real e jo deklarim politik,” theksoi ai.
Sipas ekspertëve, projekti do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, duke hapur mundësi të reja punësimi dhe duke krijuar potencial për eksport. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se fabrika fillimisht do të përmbushë nevojat vendore, ndërsa më pas pritet të prodhojë për tregjet ndërkombëtare, duke sjellë përfitime të qëndrueshme ekonomike. Një vit më parë, Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshje me një prodhues turk të industrisë së mbrojtjes për ndërtimin e kësaj fabrike, e cila do të operojë sipas standardeve të NATO-s.






