
Bashkia Elbasan ka bërë një reagim lidhur me situatën në Landfillin e Elbasanit. Pas gjashtë ditësh me përballje intensive me flakët në landfillin e qytetit, situata është thuajse nën kontroll të plotë.
Sipas autoriteteve, 95% e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga avuj dhe gazra të mbetur nga materialet e djegura dhe uji i përdorur për fikje.
Në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm çdo ditë kryetari i Bashkisë Elbasan, si edhe drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “kjo është një betejë që po e fitojmë bashkërisht”, ndërsa theksoi se angazhimi i strukturave vendore dhe qendrore ka qenë maksimal.
“Është dita e gjashtë e luftës që bëjmë bashkërisht, bashkë me zjarrfikësit e Elbasanit, zjarrfikësit kombëtarë, emergjencat civile, forcat e ushtrisë, si edhe me kompanitë private që operojnë në Elbasan, të cilat kanë dhënë një dorë të mirë në fikjen e zjarrit,” deklaroi Llatja për mediat.
Më tej, ai shtoi se është bërë një punë kolosale dhe vatra fillestare tashmë është e izoluar: “Ne mendojmë se e kemi vënë në kontroll. Është akoma vatra fillestare, e cila, siç shihet pas nesh, vazhdon dhe shkrin. Besoj se do të vazhdojë edhe dy ditë, por gjithçka është e izoluar. Ka vetëm gaz dhe avull, për shkak të ujit të tepërt që është hedhur në landfill.”/panorama