
Pas 12 vitesh qëndrimi në kampet e Sirisë, Eva Dumani është rikthyer në Shqipëri, ku është ribashkuar me nënën dhe vëllain e saj në Tiranë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) bëri të ditur se operacioni për kthimin e saj u realizua me sukses falë koordinimit mes disa institucioneve shtetërore, përfshirë përfaqësinë diplomatike shqiptare në Turqi.
Sipas reagimit zyrtar, operacioni i shtrirë në kohë u mundësua edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht autoriteteve turke, të cilat u falënderuan për bashkëpunimin në këtë rast të ndjeshëm.
MEPJ theksoi se mbetet e gatshme të ndërhyjë në çdo rast që prek shtetasit shqiptarë jashtë vendit, duke rikonfirmuar angazhimin për t’iu përgjigjur situatave që kërkojnë asistencë konsullore dhe institucionale.



