Për herë të parë, të gjithë të rinjtë të cilët do të kryejnë praktikën në administratën shqiptare do të paguhen. Ministrja e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi, thotë se për tre muaj të rinjtë do të marrin në total 33 mijë lekë kompensim financiar për praktikën e punës.

“Të rinjtë, tashmë 600 prej tyre që do të bëhen pjesë e Programit Kombëtar të Praktikës së Punës, do të kenë mundësi të marrin një kompensim financiar. Do të kenë mundësi të kenë 11 mijë lekë çdo muaj, i cili është kompensimi për të mos iu bërë barrë familjes gjatë kohës që bëjnë praktikën”.

Pas përfundimit të praktikës, 250 të rinj do të punësohen për një vit me kontratë në administratë.

“250 prej tyre do të kenë mundësi të punësohen me një kontratë 1-vjeçare pranë administratës qendrore, do të jenë 200, dhe 50 në administratën e pushtetit lokal”.

Ndryshimet synojnë tërheqjen e sa më shumë të rinjve dhe plotësimin e vendeve vakante me të cilat po përballet edhe administrata.

“Është e hapur për moshën 21–29 vjeç. Kjo është mundësi e mirë për të tërhequr të talentuarit dhe për t’i bërë pjesë të administratës”.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës pranë administratës ka nisur në vitin 2015 dhe, në 10 vite, 5 mijë të rinj kanë marrë pjesë në praktika, ndërsa 2 mijë prej tyre janë punësuar në administratë./Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu