
U prezantua sot projekti për ndërtimin e Parkut të energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, me një kapacitet prej 600 MW, një nga investimet më të rëndësishme në sektorin energjetik shqiptar. Projekti realizohet nga kompania amerikane CWP, një nga liderët e energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore.
Në ceremoninë e prezantimit mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky investim përfaqëson një hap konkret drejt arritjes së objektivit strategjik të Shqipërisë për sovranitet energjetik. Sipas tij, projekte të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit vendas të energjisë, uljen e varësisë nga importet – veçanërisht në vitet e thata – përmirësimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke fuqizuar ekonominë lokale.
Kryeministri Rama deklaroi se parku i erës në Tropojë pritet të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme brenda rreth 12 muajsh, duke nënvizuar besimin në eksperiencën dhe standardet e kompanisë investuese. Ai theksoi se përveç prodhimit të energjisë së pastër, ky investim do të sjellë edhe transferim njohurish dhe rritje të kulturës së punës në një sektor strategjik si energjia.
Rama vuri në dukje se Shqipëria po largohet gradualisht nga varësia e plotë nga energjia hidrike, duke diversifikuar portofolin energjetik me burime diellore dhe të erës. Sipas tij, deri në vitin 2030, 30% e prodhimit të energjisë në vend do të vijë nga këto burime, çka do të garantojë vetë-mjaftueshmëri të plotë dhe mundësi për eksport të energjisë drejt tregjeve evropiane.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se sektori energjetik shqiptar është shndërruar në një shembull të administrimit dhe transparencës, duke tërhequr kompani me reputacion ndërkombëtar përmes garave të hapura dhe të besueshme. Ai vlerësoi ndjeshmërinë e kompanisë CWP ndaj mjedisit dhe përgjegjësinë sociale ndaj komunitetit lokal, përfshirë investimet në infrastrukturë rurale.
Në fjalën e tij, Rama nënvizoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe në Evropë, duke përmendur bashkëpunimin trelateral me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e energjisë. Ai theksoi se avantazhi kryesor i vendit mbetet prodhimi i energjisë së pastër, pa barrën e taksës së karbonit, faktor që e bën Shqipërinë një pikë kyçe për investime madhore energjetike.
“Shqipëria është një treg i vogël, por me një kapacitet strategjik shumë të madh. Energjia që do të prodhohet këtu do të shërbejë për tregun evropian”, u shpreh Rama, duke e cilësuar vendin si “pikënisje ideale” për investitorët që synojnë tregjet ndërkombëtare.






