
Petrelë, Tiranë – Kryeministri Edi Rama këtë mëngjes ishte i pranishëm në fazën e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Koncept-Ideve për masterplanin “Parku i Besimit”, një nismë e Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).
Në këtë fazë, 12 ekipe finaliste me arkitektët më prestigjiozë në botë nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia, do të paraqesin propozimet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare, me synimin për të përzgjedhur konceptin fitues që do të formësojë një hapësirë kushtuar harmonisë fetare, bashkëjetesës dhe trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë, Edi Rama tha se Parku i Besimit nuk është një simbol i fesë, është një faltore adhurimi.
Rama: Prej shumë kohësh flas e pres me padurim që kjo nismë të gjejë hapësirë e të nisë të gjallojë. Jemi mbledhur në këtë vend që dikur formësohej nga gjuha e ashpër e urdhrave dhe divizioneve të kazermave ushtarake, një vend ku unifomiteti marshonte shumë më fort se uniteti. Së shpejti do kemi mundësi ta çelim këtë hapësirë, për një qëllim krejt të ndryshëm, për akt për njerëz krijues, të talentuar e për këdo që na viziton e kërkon ta ndajë këtë hapësirë. Por, më shumë se kaq, po rrekemi sot nisim diçka më të butë, po nisim të mendojmë në terma konkrete, përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zonë të tërë që do bëhet parku i besimit.
Ky është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësirë, është një transformim, kuptimplotë dhe s’ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por duam të mbjellim pemë, shpresë e vazhdimësi. Parku i besimit nuk është simbol i fesë, është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve e të ullirit dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte thjesht në sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë./vizionplus.