Në seancën plenare të Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, mbajti një fjalë të gjatë dhe të ashpër në mbrojtje të ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për kriminalizim të qytetarëve dhe për ligje të ndërtuara në funksion të interesave politike.

Balla theksoi se procesi i hartimit të ndryshimeve është mbështetur në punën e ekspertëve të Kuvendit dhe të qeverisë dhe se çdo dispozitë është dakordësuar me Bashkimin Evropian.

“Do doja një falënderim t’ua jepja të gjithëve, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, ekspertë në Kuvendin e Shqipërisë, që punuan për disa javë rresht për të ardhur në këtë konkludim, së bashku me gjithë punën që është bërë edhe nga ekspertë të tjerë në qeveri.”

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt kritikave të opozitës për çështjen e shpifjes dhe mediave, Balla theksoi se ligjet nuk po bëhen për të amnistuar politikanë apo për interesa personale.

“Ndryshimi i vetëm mes propozimit për mediat dhe Kodit Penal ka të bëjë vetëm me qasjen tonë të qartë që ne nuk bëjmë ligje për vete.”

Ai akuzoi opozitën për konflikt interesi dhe hipokrizi politike, duke iu drejtuar deputetes Jorida Tabaku:

“Ju më ftoni të votoj një ligj që ta amnistoj kryetarin e partisë suaj. Je në konflikt interesi, zonjë. Unë nuk mund të votoj një ligj që të amnistojë kryetarin e partisë tënde.”

Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te debati për depenalizimin e shpifjes, duke kundërshtuar modelet që, sipas tij, nuk duhet të ndiqen nga Shqipëria.

“Miqësisht jua them: unë nuk dua që Shqipëria të jetë as si Irlanda, as si Malta, as si Rumania. Unë dua që Shqipëria të jetë si Gjermania, si Italia, si Austria, si Danimarka, Suedia, Holanda, Belgjika.”

Ai theksoi se në disa nga këto vende shpifja vijon të mbetet vepër penale.

“Në Gjermani shpifja është vepër penale. Në Itali shpifja është vepër penale.”

Një tjetër pikë e fortë e debatit ishte parkimi i dyfishtë, për të cilin Balla tha se po keqinterpretohet qëllimisht nga opozita.

“Nuk ka thënë njeri që do të kriminalizohet parkimi i dyfishtë për dikë që ndalon një minutë te dyqani i bukës. Njerëzit mund të jetojnë edhe pa parkim të dyfishtë.”

Ai theksoi se masat synojnë mbrojtjen e jetës dhe sigurinë publike.

“Vëreni veten tuaj në ambulancën që transporton një njeri, jeta e të cilit mund të varet nga 30 sekonda vonesë. Jetohet pa parkim dyfishtë, por jeta e humbur nuk kthehet mbrapsht.”

Në fund, Balla theksoi se ndryshimet në Kodin Penal janë pjesë e një pakete më të gjerë për luftën kundër krimit të organizuar.

“Çdo germë e këtij Kodi Penal është dakordësuar me Bashkimin Evropian. Këto ndryshime lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, terrorizmit, trafikut të qenieve njerëzore dhe abuzimit seksual të fëmijëve.”

Ai paralajmëroi se vota kundër këtyre ndryshimeve përbën një qëndrim të qartë politik.

“Nëse votoni kundër këtyre ndryshimeve, ku t’ju fus? A jeni kundër luftës kundër krimit të organizuar, apo kundër terrorizmit?”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu