
Ish-rektori i Universitetit të Tiranës dhe anëtari aktual i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Dhori Kule, është paraqitur paraditen e së mërkurës në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për mikrokreditë.
Pas rreth një ore qëndrimi në ambientet e SPAK-ut, Kule deklaroi për mediat se është thirrur për të dhënë sqarime lidhur me rolin e tij në institucionin që mbikëqyr sistemin financiar në vend.
“Isha këtu për të dhënë sqarime mbi rolin tim në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e çështjeve që lidhen me mikrokreditë,” u shpreh Kule.
Hetimet për skemën e mikrokredive vijojnë, ndërkohë që nga ana e prokurorisë nuk janë dhënë ende informacione shtesë për rrjedhën e çështjes.