Çdo punonjës i Gardës që parandalon një kërcënim ndaj një apo disa personaliteteve, që parandalon akte terroriste, kryen shërbime në kushte të vështira për sigurimin e personaliteteve ose merr pjesë në sigurimin e aktiviteteve të mëdha, do të shpërblehet financiarisht deri në 3 paga.

yacht hotel sarande

Qeveria miratoi të mërkurën në mbledhjen e saj një vendim, i cili ka për qëllim të përcaktojë procedurat e trajtimit financiar për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë në rastet e fatkeqësive në familje, shpërblimin për rezultatet e arritura dhe dëmtimin e rëndë të pronës private për shkak të detyrës. Për efekt të këtij vendimi, fatkeqësi në familje konsiderohet vdekja e prindit në ngarkim, e bashkëshortit/bashkëshortes apo e fëmijës.

Ndihma financiare për fatkeqësitë në familje jepet në masën e 2 (dy) pagave mujore neto të muajit të fundit. Për t’u trajtuar me ndihmë financiare, punonjësi dorëzon në Gardën e Republikës: a) kërkesën me shkrim; b) certifikatën e vdekjes së prindit në ngarkim, të bashkëshortit/bashkëshortes apo të fëmijës; c) certifikatën familjare.

Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për fatkeqësi në familje bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm.

Shpërblimi për punonjësit e Gardës

Punonjësi i Gardës së Republikës përfiton në vit një shpërblim deri në masën e 3 (tri) pagave mujore neto për rezultate të larta të arritura gjatë kryerjes së detyrës. Shpërblimi jepet në bazë të këtyre kritereve: a) Punonjësi pëson dëmtime shëndetësore gjatë shërbimit për sigurimin e personaliteteve apo të objekteve në ruajtje, duke përfshirë raste, si: sulme të dhunshme, aksidente gjatë detyrës ose situata emergjente, që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 14 (katërmbëdhjetë) ditë kalendarike; b) Parandalohet një incident i rëndë apo përpjekje për dëmtim fizik të personaliteteve me masa konkrete dhe ndërhyrje të menjëhershme të punonjësit të Gardës; c) Kryhen shërbime për sigurinë e personaliteteve dhe të objekteve në kushte të rrezikshme, si: gjatë protestave masive, kërcënimeve terroriste të konfirmuara, situatave të tensionuara me rrezik ose detyra të për shkallëzuara papritur, që kërkojnë vigjilencë të lartë dhe aftësi të shpejta reagimi; ç) Punonjësi kryen detyra sigurie në aktivitete madhore, ku marrin pjesë më shumë se 10 (dhjetë) personalitete të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare, si: samite të nivelit të lartë, takime ndërkombëtare ose ceremoni shtetërore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare.

Masa e shpërblimit jepet e përshkallëzuar sipas klasifikimit: a) 3 (tri) paga mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjës “a” sa më sipër; b) 2 (dy) paga mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjave “b” dhe “c”, sa më sipër; c) 1 (një) pagë mujore neto, për plotësimin e kriterit të shkronjës “ç”, sa më sipër.

Ndihma e menjëhershme financiare

Punonjësi i Gardës së Republikës, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës private për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, sipas akteve të vlerësimit të dëmit, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.

Punonjësi e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur: a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit për shkak të detyrës, si dhe rasti është paraqitur pranë organeve ligj-zbatuese; b) disponon dokument, që vërteton pronësinë e pronës së dëmtuar; c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës urdhëron ngritjen e komisionit të posaçëm, sipas rasteve të parashikuara në këtë vendim.

Komisioni i posaçëm ka në përbërjen e tij 5 (pesë) anëtarë:

a) Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm i Gardës;

b) Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse;

c) Shefin e sektorit të buxhet – financës;

ç) Shefin e sektorit të burimeve njerëzore;

d) Një punonjës me profil jurist.

Eprori i drejtpërdrejtë dhe në hierarki më i larti paraqet pranë komisionit të posaçëm propozimin për shpërblim, të shoqëruar me relacion shpjegues të rezultateve konkrete të arritura nga punonjësi.

Pagesa për shpërblimin e punonjësit bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, sipas vendimit të komisionit të posaçëm.

Në rastet e dëmtimit të rëndë të pronës, të parashikuar në pikat 1 e 2, të kreut IV, të këtij vendimi, komisioni mblidhet dhe kryen verifikimet e vlerësimet përkatëse, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune nga dita e paraqitjes së kërkesës së punonjësit.

Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, punonjësi dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit, duke parashtruar faktin e dëmtimit;

b) Kopjen e shkresës për referimin e veprës penale në organet ligj-zbatuese;

c) Kopjen e noterizuar të dokumentit, që vërteton pronësinë për pronën e dëmtuar;

ç) Aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.

Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, sipas vendimit të komisionit të posaçëm.

Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi, që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, është i detyruar të kthejë në masën 100 (njëqind) % shumën e përfituar.

Në rast mos dakordësie mbi propozimin për shpërblim të punonjësit apo të dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare, punonjësi ankimon vendimin e komisionit të posaçëm te drejtori i Përgjithshëm i Gardës.

Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës vendos për pranimin ose refuzimin e ankimit të punonjësit. Në rast të pranimit të ankimit, propozimi për shpërblim të punonjësit apo dhënie ndihme të menjëhershme financiare rikthehet për rishqyrtim në komisionin e posaçëm.

“Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme në programin buxhetor “Garda e Republikës”. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2025.”, thuhet në vendimin e qeverisë.

/rtsh.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu