
Ministri i Shtetit dhe drejtuesi politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar me një mesazh krenarie në rrjetet sociale në ditën e organizimit të Paradës së Parë Zyrtare Shqiptare në New York.
“Ngrejmë lart flamurin kuqezi dhe tregojmë me krenari kulturën, historinë dhe shpirtin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në SHBA,” shkruan Balla në një postim në Facebook, duke e shoqëruar me hashtagun simbolik: #krenarpërshqiptarët
Parada nis në 10:00, sipas orës lokale, nga Central Park West & 81st Street dhe përfundon në 68th Street. Më pas do të pasohet nga një festë në W 72nd Street, me muzikë, valle, art dhe shije shqiptare.
Kjo paradë historike organizohet nga komuniteti shqiptar në SHBA dhe mbështetet nga figura të njohura, si ish-këshilltari Mark Gjonaj. Ajo konsiderohet një moment i rëndësishëm për forcimin e identitetit kombëtar në diasporë dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare në një nga qytetet më të mëdha të botës.
“Rrënjët na mbajnë tokës, por bashkimi na çon larg” – është mesazhi që shoqëron këtë ngjarje simbolike për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë.