
Çështja e paraburgimit të ish-Presidentit Ilir Meta është kthyer në temë debati edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku zv.kryeministri dhe ministri i Infrastrukturës, Aleksandar Nikolovski, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një seance plenare, Nikolovski kritikoi opozitën vendase për afrimin me Ramën, duke e cilësuar këtë të fundit si trashëgimtar të regjimit të Enver Hoxhës. Ai ngriti gjithashtu akuza për mënyrën se si po trajtohet çështja e Metës në Shqipëri, duke pretenduar se ish-presidenti mbahet në paraburgim pa prova dhe pa një dosje të qartë ligjore.

Në fjalimin e tij, zyrtari maqedonas përdori tone të ashpra politike, duke e lidhur rastin me standardet demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ai tha se mbajtja e Metës në paraburgim për një periudhë të gjatë, sipas tij pa bazë të fortë ligjore, përbën një shqetësim serioz për demokracinë.

Deklaratat e Nikolovskit vijnë në një kontekst tensioni politik rajonal, ndërsa vetë Meta ka marrë më herët mbështetje nga figura të larta të VMRO-DPMNE-së, parti me të cilën ai ka pasur marrëdhënie të afërta politike.



