Përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut e cilësuan “keqkuptim”, situatën e krijuar të enjten në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, zyra e së cilës tha se bëhej fjalë për “provokim të pastër”. Në një komunikatë të premten presidenca e Kosovës tha “situata e djeshme…ishte tendencë për të shkaktuar incident”.

Të enjten zyra e presidentes Osmani, tha se “sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, thuhet në një deklaratë duke iu referuar Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

yacht hotel sarande

Ministria e Jashtme e Kosovës tha se ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, thuhet në një njoftim “ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”.

Në Shkup, ministria e Brendshme tha se ka hapur hetime, duke vënë theksin te “ndërhyrja e sigurimit të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, ndaj sigurimit të aeroportit”. Pjesëtarët e sigurimit të zotit Gashi ishin shfaqur në aeroport pasi ishin njoftuar nga presidenca e Kosovës.

Lidhja Social Demokrate në opozitë fajëson VMRO-DPMNE-në, duke përqendruar reagimin e saj ndaj, sic thuhet, “ndërhyrjes së sigurimit të zotit Gashi”.

Angazhimi im ka qenë dhe do të jetë që të qetësojmë, të bashkojmë, të mos përçajmë, e të bëjmë incidente”, tha ndërkaq kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Në kompania TAV që menaxhon aeroportin e Shkupit, i thanë Zërit të Amerikës se personat e rëndësishëm (VIP) mund të kalojnë pa u futur nëpër kontrollin e sigurisë, nëse udhëtojnë me avionë privat, por jo nëse udhëtojnë me avion komercial.

Kompania tha se e ka detyrim ligjor të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave… “përfshirë ata që udhëtojnë nëpër sallonin VIP. Prandaj, departamenti i sigurisë i TAV-it, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë së udhëtarit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.

Njohësit e fushës fajësojnë sigurimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut për situatën e krijuar, duke theksuar se Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e udhëheqësve të shteteve dhe pjesëtarëve të personelit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Sipas konventës thonë ata, kur flitet për udhëtimet, personave që kanë status diplomatik duhet t’u lejohet lëvizje e lirë.

Presidenca e Kosovës tha të premten se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Në një postim të gjatë në Facebook, Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes Vjosa Osmani, shkroi se “në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”.

Partitë politike shqiptare u përfshinë në shkëmbim akuzash rreth kësaj ngjarjeje.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, përmes një shkrimi në rrjetet sociale e dënoi ndodhinë në aeroport.

Unë skuqem nga turpi i tyre”, shkroi zoti Ahmeti, duke akuzuar partitë e koalicionit VLEN në qeveri se ”janë vënë në shërbim vasal e servil (ndaj VMRO-së) duke sjellë (Vladimir) Putinin dhe (Aleksandar) Vuçiçin në qeveri”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti shkroi se “keqkuptimi i shkaktuar në mes të ministrisë së Punëve të Brendshme, kompanisë TAV dhe sigurimit të Presidentes Osmani është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është zgjidhur pa pasoja”.

Zoti Mexhiti akuzoi BDI-në se po prodhon, sipas tij, “një krizë tjetër artificiale që të minimizohen arritjet dhe rezultatet e koalicionit Vlen, siç është rasti me lirimin nga paraburgimi të një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Nuk është rasti i parë që udhëheqës të Kosovës janë përballur me situatë të ngjashme në aeroportin e Shkupit. Ish zyrtarë të Kosovës thanë se me një qasje të ngjashme ishte përballur edhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, por situata ishte zgjidhur pa bërë bujë.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu