Fitorja nuk është kurrë thjesht trofe, sado me shkëlqim. Është një “rrugë” e përbashkët, është bukuria e gjenisë së “kampionit”, që i shërben së mirës së përbashkët. Me këto fjalë i priti paraditen e sotme, 27 maj, në Sallën Klementine në Vatikan, Papa Leoni XIV futbollistët e Napolit, të sapodeklaruar fitimtarë të kampionatit italian të Serisë A, por, në radhë të parë, simbol i konceptit të “skuadrës”, në kuptimin më të gjerë të fjalës, që triumfon, sepse punon së bashku. Fillimisht, duke bërë shaka, vuri në dukje se shtypi thotë se ai është romanist: “jo gjithçka që lexoni në shtyp është e vërtetë”, qeshi Ati i Shenjtë, duke iu kthyer kampionatit të futbollit.

“Festa e madhe” e Napolit
Fitorja – siç ndodh jo vetëm në Napoli, por është e dukshme sidomos në këtë qytet të veçantë të Italisë – u kthye në një “festë të madhe”, jehona e së cilës ndihet ende. Një festë që nuk mbaron kurrë, e cila, nga e shtuna e fitores vazhdon të gjallërojë bregun e detit të kaltërt si bluzat e lojtarëve, që e rikthyen kupën e kampionatit – e katërta në historinë napolitane – nën hijen e Vezuvit. Sot, Leoni XIV i përgëzoi dhe reflektoi me ta mbi kuptimin më të thellë të kësaj arritjeje, që nuk është as “shfaqja e jashtëzakonshme” individuale dhënë në fushë nga ndonjë lojtar, as homazhi në gazetat sportive ku skuadra merr pikët më të larta, por rrugëtimi “i gjatë” që çon drejt suksesit.

“Kampionatin e fiton skuadra dhe kur them “skuadër” nënkuptoj si lojtarët, si trajnerin me gjithë ekipin, ashtu edhe klubin sportiv”.

Në shërbim të së tërës
Kjo, në kuadrin e fitores, është penelata “më e rëndësishme”, sipas Papës. Jo vetëm nga pikëpamja thjesht “tekniko-sportive”, por edhe nga ajo “shoqërore”, duke pasur parasysh popullaritetin e futbollit në Itali e në të gjithë botën.

“Është shembull i një ekipi – në kuptimin e gjerë – që punon së bashku, në të cilin talentet e individëve vihen në shërbim të së tërës”.

Të vigjëlohet mbi “cilësinë morale” të sportit
Futbolli, në vizionin e Papës, është pra lloj shfaqjeje, ku ka rëndësi aspekti “edukativ”. Në lojë formohet imagjinata dhe zemra e më të rinjve – për mirë, ose për keq. Por edhe futbolli ka dritëhijet e veta, sidomos kur i hap rrugën një sporti të prirur vetëm drejt “biznesit”, që ia shpërfytyron bazat e shëndosha, duke e kthyer në një garë “deri çedukative”. Duhet të kemi kujdes e të “vigjëlojmë” mbi këtë aspekt themelor, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili e përfundoi fjalën e tij me një thirrje:

“Duhet t’i kushtojmë vëmendje cilësisë morale të përvojës sportive në nivelin e profesionistëve, sepse është në lojë zhvillimi njerëzor i të rinjve. Mendoj se u kuptuam e se nuk ka nevojë për shumë fjalë”.

Duke i falënderuar për vizitën, Papa përmendi gruan, që i bën për të ngrënë këto ditë, napoletane e tifoze e vërtetë, e cila do të kishte dashur të ishte e pranishme në audiencën e sotme me futbollistët. “Ju bën shumë urime”, u tha Leoni XIV lojtarëve, para se t’i bekonte ata e familjet e tyre./Vatican news

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu