Mbi 128 mijë besimtarë nga e gjithë bota kanë nderuar tashmë trupin e Papa Françeskut, i cili që prej 23 prillit ndodhet i vendosur në Bazilikën e Shën Pjetrit për homazhe publike. Hyrja e besimtarëve do të lejohet deri në orën 18:00 të pasdites së sotme, për t’i lënë vend ritualit të mbylljes së arkivolit, i parashikuar për në orën 20:00. Masat e sigurisë janë në nivelin më të lartë, ndërsa radhët e gjata kanë vijuar pa ndërprerje edhe gjatë natës.

Ceremonia mortore do të zhvillohet nesër, e shtunë 26 prill, në orën 10:00 në Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të 130 delegacioneve zyrtare nga mbarë bota, përfshirë 50 krerë shtetesh dhe 10 monarkë.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, është nisur sot drejt Italisë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në nderim të Papa Françeskut. Pas meshës, arkivoli do të dërgohet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku do të prehet në një varr të thjeshtë, mes Kapelës Paolina dhe asaj Sforza, sipas dëshirës së Papa Françeskut. Mbi varr, vetëm një mbishkrim i thjeshtë: “Franciscus”, aq i qartë sa duket gati i padukshëm.

Për të përballuar fluksin e madh të njerëzve, Konfederata Kombëtare e “Misericordie d’Italia” ka angazhuar rreth 200 vullnetarë për ndihmë dhe shërbime shëndetësore, logjistike dhe sociale në zonën e Vatikanit. Të veshur me uniformat e dallueshme verdhë e kaltër, ata janë shpërndarë që nga pikat hyrëse të qytetit deri në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Gjithashtu, në një gjest simbolik, të gjitha radiot kombëtare italiane – Radio1, Radio2, Radio3, Isoradio dhe të tjerat – do të mbajnë një minutë heshtje në orën 10:00 të mëngjesit të nesërm, në nder të Papës së ndjerë.

Ndërsa përgatitjet për Konklavën vijojnë, Monsinjor Giulio Dellavite thekson se zgjedhja e emrit “Françesku” tregon shpirtin e një pontifikati të përqendruar te të varfërit dhe të margjinalizuarit. “Nuk do të jenë nacionalizmat që do të vendosin – thotë ai – por vizionet dhe vlerat që mbartin kardinalët nga çdo cep i botës.”

Së fundmi, organizata për mbrojtjen e konsumatorit Codacons ka ngritur shqetësimin për çmimet e larta të biletave ajrore dhe hekurudhore për në Romë, që në disa raste kapin shifrën e 500 eurove, duke e bërë të vështirë për shumë besimtarë të marrin pjesë fizikisht në këtë ngjarje historike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu