
Një incident i frikshëm ndodhi mbrëmjen e kaluar në aeroportin e Palma de Mallorca-s, ku një zjarr i vogël shpërtheu brenda kabinës së një avioni të kompanisë Ryanair, pak para se ai të nisej për fluturim.
Sipas mediave italiane, 18 pasagjerë kanë pësuar dëmtime të lehta gjatë evakuimit urgjent nga avioni, ndërsa 6 prej tyre janë dërguar në spital për kontroll më të detajuar. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës, në momentin që avioni ishte në pistë dhe po përgatitej për ngritje.
Shkaqet e zjarrit nuk janë ende të qarta. Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë momente paniku, ku pasagjerët dalin nga dyert e emergjencës, ecin mbi krahët e avionit dhe më pas kërcejnë në pistë për t’u larguar sa më shpejt nga mjeti fluturues, ndërsa zjarrfikësit dhe forcat e policisë mbërrijnë në vendngjarje.
View this post on Instagram
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të verifikuar zbatimin e protokolleve të sigurisë.