
Shtëpia e Bardhë ka shpallur anëtarët e parë të të ashtuquajturit “Bordi i Paqes për Gazën”, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump që synon menaxhimin politik dhe ekonomik të territorit pas luftës. Por lista e emrave ka shkaktuar kritika të forta, duke ushqyer akuzat se plani amerikan i ngjan më shumë një zgjidhjeje të imponuar nga jashtë, pa përfshirjen reale të palestinezëve.
Deri tani janë prezantuar dy struktura drejtuese: një Bord Ekzekutiv themelues, me fokus diplomacinë dhe investimet, dhe një Bord Ekzekutiv për Gazën, që do të mbikëqyrë punën në terren përmes Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).
Megjithatë, asnjë palestinez nuk figuron në bordet kryesore drejtuese, fakt që ka shtuar shqetësimet për legjitimitetin e procesit.
Komiteti NCAG përbëhet nga palestinezë të cilësuar si teknokratë dhe apolitikë, dhe drejtohet nga Dr. Ali Shaath, inxhinier civil dhe ish-ministër i Autoritetit Palestinez. Por roli i tij shihet si dytësor krahasuar me bordet ku merren vendimet kyçe.
Nga shtatë anëtarët e Bordit Ekzekutiv themelues, gjashtë janë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si dhe Steve Witkoff, i dërguari special për Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht mik personal i presidentit.
Një përjashtim i pjesshëm është Ajay Banga, president i Bankës Botërore, me shtetësi amerikane dhe indiane. Ndërsa përfshirja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair ka ndezur reagime të ashpra, veçanërisht për shkak të rolit të tij në luftën e Irakut dhe historisë koloniale britanike në Lindjen e Mesme.
Politikani palestinez Mustafa Barghouti dhe zyrtarë nga shtete arabe, sipas raportimeve, e kanë cilësuar Blair-in si të papranueshëm për një rol kaq delikat. Edhe raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, Francesca Albanese, ka reaguar më herët me tone të forta kundër përfshirjes së tij.
Vetë Trump ka pranuar se zgjedhja e Blair-it është e diskutueshme, duke deklaruar se dëshiron të sigurohet që ai të jetë “i pranueshëm për të gjithë”.
Ndërsa Gaza mbetet e shkatërruar dhe kriza humanitare vazhdon, kritikët paralajmërojnë se një plan pa përfaqësim të vërtetë palestinez rrezikon të dështojë, pavarësisht peshës së emrave të përfshirë.






