
Një tentativë grabitjeje ndaj një furgoni të blinduar ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në rrugën shtetërore 613, superstrada që lidh Leçen me Brindisin, në Itali. Objektiv i sulmit ishte një mjet i kompanisë së sigurisë Btv (Battistolli).
Sipas informacioneve paraprake, autorët kishin bllokuar rrugën duke vendosur një automjet të përfshirë nga flakët në mes të karrexhatës, duke detyruar furgonin të ndalonte.
Menjëherë pas kësaj, grabitësit tentuan të kryenin sulmin, por ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit solli një shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Pas dështimit të grabitjes, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa u ndoqën nga karabinierët në zonën e Squinzanos. Në operacion u përfshinë edhe forca shtesë në mbështetje të patrullave të para.
Për shkak të ndërhyrjes së emergjencave dhe hetimeve në terren, qarkullimi në këtë segment rrugor është ndërprerë përkohësisht. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa pritet rikthimi i normalitetit në orët në vijim.






