Sicilia lindore po përballet me një nga episodet më të rënda të motit ekstrem të viteve të fundit, nën ndikimin e ciklonit “Harry”, i cili ka sjellë erëra të fuqishme, dallgë që arrijnë deri në 10 metra, reshje intensive shiu dhe stuhi bore në zonat malore të Etnës.

Situata është veçanërisht kritike në provincat e Katanias, Mesinës, Sirakuzës dhe Raguzës, të shpallura nën alarm të kuq. Qindra ndërhyrje janë kryer nga zjarrfikësit për shkak të pemëve të rrëzuara, shtyllave elektrike të dëmtuara, përmbytjeve dhe shembjeve të rrugëve. Shkollat, universitetet dhe aktivitetet publike janë mbyllur, ndërsa qarkullimi është kufizuar në shumë zona.

Në Mesinën, lumi Agrò ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar probleme serioze në rrugën shtetërore 114. Në Santa Teresa di Riva, një segment i shëtitores bregdetare është shembur për shkak të baticës së fortë, duke krijuar një vorbull ku përfundoi një automjet. Drejtuesi u plagos, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po në këtë zonë, një ambulancë  u godit nga një dallgë, pa pasoja për personelin.

Kryebashkiakët përfshihen nga dallga gjatë një video-live

Momente të rrezikshme u regjistruan edhe gjatë një transmetimi “live” në Facebook, ku kryebashkiaku i Taorminës, Cateno De Luca, dhe homologu i Santa Teresa di Riva, Danilo Lo Giudice, u përfshinë nga një dallgë e fuqishme teksa po dokumentonin dëmet e shkaktuara nga cikloni.

Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale. Pas incidentit, De Luca reagoi duke u bërë thirrje qytetarëve të mos rrezikojnë jetën:
“Mos bëni atë që bëmë ne. Qëndroni larg shëtitoreve dhe përrenjve. U përfshimë nga një dallgë teksa po tregonim në kohë reale dëmet e ciklonit Harry”, shkroi ai.

Ngjarja nxiti reagimin e organizatës së konsumatorëve Codacons, e cila e cilësoi ekspozimin e tillë si shembull të keq për qytetarët. De Luca u kundërpërgjigj, duke theksuar se ndodhej në një zonë jo të ndaluar dhe se vepronte në kuadër të detyrës institucionale, si autoritet lokal i mbrojtjes civile. Megjithatë, në rrjetet sociale nuk munguan kritikat për veprim të pamatur.

Ishuj të izoluar dhe dëme në porte

Për shkak të detit të trazuar, arkipelagët përreth Sicilisë janë izoluar. Ishujt Eolie kanë mbetur pa lidhje detare, ndërsa në disa zona të Liparit, uji i detit ka hyrë në banesa. Në portin e Katanias, një peshkarexhë është fundosur, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës portuale.

Emergjencë edhe në Etna

Në Etna, era e fortë dhe reshjet e dëborës krijuan situata të rrezikshme. Një familje turistësh zviceranë, mes tyre një fëmijë 4-vjeçar, u bllokua pranë kratereve Silvestri, por u shpëtua nga njësitë e shpëtimit malor të Guardia di Finanza.

Autoritetet italiane u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rreptësisht urdhrat e emergjencës dhe të shmangin zonat bregdetare dhe përrenjtë. Ekspertët paralajmërojnë se fenomene të tilla ekstreme, përfshirë ciklonet mesdhetare (Medicane), po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu