Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se “gjërat po qetësohen realisht” në arenën ndërkombëtare, teksa mori pjesë në ceremoninë e firmosjes së Kartës së Bordit të Paqes, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Vetëm një vit më parë bota ishte në flakë dhe shumë njerëz nuk e kuptonin këtë”, tha Trump përpara liderëve botërorë, duke përsëritur pretendimin se administrata e tij ka kontribuar në përfundimin e tetë konflikteve ndërkombëtare.

Në ceremoninë e firmosjes, dokumentet u nënshkruan nga disa liderë shtetërorë, mes tyre Presidenti i Argjentinës Javier Milei, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, si edhe përfaqësues nga Azerbajxhani, Indonezia, Katari dhe Kosova.

Trump e cilësoi Bordin e Paqes si një strukturë me potencial të jashtëzakonshëm global.
“Ky mund të jetë një nga organizmat më pasojmë të krijuar ndonjëherë. Jam i nderuar të jem kryetar i tij”, deklaroi ai, duke shtuar se “pothuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë”.

Sipas Trump, Bordi i Paqes do të punojë paralelisht me Kombet e Bashkuara, pavarësisht kritikave të tij të mëparshme ndaj OKB-së.
“Ka potencial të jashtëzakonshëm te Kombet e Bashkuara. Bashkimi i përpjekjeve tona është diçka unike për botën”, tha presidenti amerikan.

Ndërkohë, një draft i rrjedhur i Kartës ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e Bordit të Paqes, pasi sugjeron se struktura e re mund të synojë të zëvendësojë disa funksione të OKB-së. Dokumenti parashikon që organizata të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga të paktën tre shtete dhe që vendet kontribuuese me mbi 1 miliard dollarë të kenë vende të përhershme.

Në zhvillime paralele, Trump deklaroi se SHBA po eksploron një marrëveshje afatgjatë për Groenlandën, pas bisedimeve me NATO-n, ndërsa njoftoi se ka hequr dorë nga tarifat e planifikuara ndaj tetë vendeve evropiane që kundërshtuan planet e tij për ishullin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sqaroi se në takimin me Trump nuk është diskutuar sovraniteti danez mbi Groenlandën. Ndërsa Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi prerë:
“Mund të negociojmë për sigurinë, investimet dhe ekonominë, por jo për sovranitetin”.

Ceremonia dhe deklaratat e Trump po ndiqen live nga dhjetëra mijëra shikues, ndërsa debati mbi rolin dhe mandatin real të Bordit të Paqes pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu