
Kryeministri Edi Rama mbërriti mesditën e sotme, 23 shkurt, në Korçë me helikopter ushtarak, për të marrë pjesë në inspektimin e përfundimit të punimeve në Polin e Dijes.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë sqaroi se fluturimi drejt Korçës ishte i planifikuar më herët dhe nuk ka lidhje me bllokimin e rrugës në segmentin Përrenjas–Librazhd, i cili prej disa ditësh është i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Sipas Ramës, vizita në Korçë do të pasohet edhe nga një ndalesë në Vlorë, ku do të shoqërojë një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë.
View this post on Instagram
“Nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare”, shkroi Rama në platformën X.
Sa i përket shembjes së rrugës Përrenjas–Librazhd, e cila është bllokuar që prej 21 shkurtit, Kryeministri theksoi se rrëshqitje dherash ndodhin edhe në vende të tjera, si Italia, duke ia atribuuar situatën faktorëve gjeologjikë dhe jo përgjegjësisë institucionale.
Ndërkohë, bllokimi i aksit ka sjellë vështirësi të shumta për qarkullimin në juglindje të vendit, ndërsa autoritetet po vijojnë vlerësimet teknike në terren.






