
Policia e Shtetit ka publikuar pamje zyrtare nga kamerat e trupit të efektivëve, që tregojnë momentet e ndërhyrjes dhe ndjekjes spektakolare mesditën e sotme në zonën e Liqenit të Thatë dhe në drejtim të TEG-ut, ku një 31-vjeçar me precedent penal tentoi t’i shpëtonte kontrollit të Policisë.
Sipas njoftimit, rreth orës 12:30, Forcat e Posaçme “Shqiponja” i kërkuan ndalimin një automjeti të drejtuar nga shtetasi I. K., për të cilin kishte informacion operativ se qarkullonte i armatosur. Në momentin që iu komunikua urdhri për kontroll, ai refuzoi ndalimin dhe u largua me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve të Policisë.
Pamjet nga kamerat e trupit tregojnë momentin kur policët i afrohen automjetit dhe komunikojnë me drejtuesin, i cili më pas nis arratisjen në mënyrë të papritur.
Gjatë ndjekjes në unazë, drejtuesi i mjetit përplasi 9 automjete dhe një motomjet, në të cilin ndodheshin një punonjës policie jashtë shërbimit, 52 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, 46 vjeçe. Ata ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Pas një operacioni të shpejtë, Policia arriti ta neutralizojë dhe arrestojë 31-vjeçarin, i njohur edhe me disa identitete të tjera. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë.
Policia thekson se publikimi i pamjeve synon të tregojë transparencë për veprimet operacionale dhe bashkëpunimin me qytetarët.