
Një fenomen i pazakontë është vërejtur këtë të shtunë në lumin Lana në Tiranë, ku në disa segmente të tij uji ka marrë një ngjyrë gri të theksuar, që ngjan me bojë ose mbetje ndërtimi. Pamjet nga zona të ndryshme, përfshirë edhe Brrylin, tregojnë një turbullirë të njëtrajtshme, larg ngjyrës së zakonshme të ujit.
Ndryshe nga situatat e zakonshme pas reshjeve, ku uji merr nuanca kafe për shkak të baltës, këtë herë ngjyra gri dhe homogjene ngre dyshime për një shkarkim ndotës në rrjedhën e lumit. Burime nga terreni sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për mbetje ndërtimi, ujëra të përziera me materiale kimike ose bojëra që kanë përfunduar në kolektorë dhe më pas në Lanë.
Fenomeni nuk është i izoluar vetëm në një pikë, çka shton dyshimet për një ndotje me burim më të gjerë në rrjedhën e lumit. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, ndërsa mbetet për t’u verifikuar burimi i saktë dhe nëse kemi të bëjmë me një shkarkim të paligjshëm që ka ndikuar në të gjithë segmentin e Lanës në kryeqytet.






