
Tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të konfirmuara nga Islamabadi mbi qytetet Kabul dhe Kandahar. Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, deklaroi se vendi ka “kapacitetin e plotë për të shtypur çdo ambicie agresive”, duke theksuar se nuk do të ketë kompromis për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.
Sipas autoriteteve pakistaneze, sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj operacioneve të forcave talebane përgjatë kufirit të përbashkët 2,600 kilometra. Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif, e cilësoi situatën si “luftë e hapur” me qeverinë talebane.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i talebanëve afganë, Zabihullah Mujahid, pretendoi fillimisht se forcat e tyre kishin nisur sulme hakmarrëse kundër pozicioneve pakistaneze, por postimi në rrjetet sociale u fshi më vonë. Një zëdhënës ushtarak taleban deklaroi për BBC se do të kundërpërgjigjen nëse sulmohen, por nuk synojnë të nisin përplasje të reja për momentin.
Raportimet nga terreni flasin për shpërthime të forta në Kabul gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa në provincën Nangarhar zyrtarë lokalë talebanë pretendojnë se të paktën nëntë persona janë plagosur pas goditjeve pranë një kampi refugjatësh. Shifrat e viktimave mbeten të vështira për t’u verifikuar, pasi të dyja palët pretendojnë humbje të mëdha te kundërshtari.
Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me thirrje për përmbajtje. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkoi respektim të së drejtës ndërkombëtare humanitare, ndërsa Irani ofroi ndërmjetësim për të lehtësuar dialogun mes dy vendeve.
Analistët theksojnë se, pavarësisht retorikës së ashpër, një luftë konvencionale mes Pakistanit – një fuqi bërthamore me ushtri të renditur ndër më të fortat globalisht – dhe talebanëve afganë duket pak e mundshme. Megjithatë, përplasjet kufitare dhe sulmet ajrore rrezikojnë të destabilizojnë më tej rajonin./bbc






