
TIRANË — Shqipëria ka qenë prej më shumë se një shekulli strehë për komunitetin e vogël armen, i cili ndau një fat të ngjashëm me hebrenjtë, duke u larguar nga persekutimi dhe duke u integruar në shoqërinë shqiptare. Sot, megjithëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një fazë të re bashkëpunimi, numri i armenëve në Shqipëri është zvogëluar ndjeshëm, duke e bërë këtë një nga pakicat më pak të njohura të vendit shkruan “The Armenian Mirror-Spectator”, gazeta e parë javore në gjuhën angleze për komunitetin armen, e botuar në Shtetet e Bashkuara.
Armenët e parë mbërritën në fund të viteve 1800, kryesisht në Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Pas gjenocidit armen të vitit 1915, rreth 20–30 familje të tjera u vendosën në Shqipëri, ku shumica punuan si mjekë, dentistë, biologë e ekonomistë, duke qëndruar larg politikës. Gjatë Mbretërisë së Zogut komuniteti u zhvillua, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore armenët luftuan krah për krah me shqiptarët kundër pushtuesve nazistë.
Ndryshe nga disa pakica të tjera, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës ata nuk u përballën me persekutim të rëndë, edhe pse nuk kishin të drejtë të organizoheshin në mënyrë etnike dhe feja u shtyp. Shumë armenë u martuan me shqiptarë, duke ruajtur fenë, por duke humbur dalëngadalë gjuhën dhe traditat.
Pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve ’90, me shpërnguljen e shumicës së hebrenjve drejt Izraelit, komuniteti armen mbeti më i vogli në Shqipëri. Sot, sipas profesor Etrit Adamit, janë vetëm rreth 100 armenë në të gjithë vendin.
Megjithatë, lidhjet mes Shqipërisë dhe Armenisë po marrin hov të ri. Në maj 2025, kryeministri Edi Rama priti homologun armen Nikol Pashinyan në kuadër të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Një vit më parë ishte krijuar Shoqata e Miqësisë Shqipëri–Armeni, ndërsa konsulli i nderit Varuzhan Piranjani dhe vëllai i tij, studiuesi Berzh Piranjani, punojnë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës armene në vend.
Një urë e rëndësishme bashkëpunimi është edhe qendra TUMO Tirana, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të edukimit falas për të rinjtë në fushën e teknologjisë dhe dizajnit, e mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Edhe pse turistët armenë po vizitojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë, perspektiva për të ardhmen e komunitetit vendas mbetet e vakët. “Askush nuk bën dallim mes armenëve dhe shqiptarëve. Ata nuk e ndjejnë më armenizmin në gjak,” shprehet me keqardhje Adami.