Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka prezantuar përmbajtjen e paketës së re ligjore në kuadër të fazës së re të negociatave me Bashkimin Europian, gjatë një konference për shtyp së bashku me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka dhe ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Gogu theksoi se paketa përbëhet nga 12 projektligje, 6 nisma të qeverisë dhe 6 nisma deputetësh, të cilat synojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Sipas tij, sesioni i kaluar parlamentar ka qenë ndër më intensivët, veçanërisht muaji dhjetor, gjatë të cilit u miratuan mbi 20 ligje nga gjithsej 41 gjatë gjithë sesionit. “Ky do të jetë ritmi i integrimit të vendit. Zakonet ligjore dhe parlamentare duhet të mbizotërojnë edhe në jetën shoqërore, edhe në atë shtetërore”, u shpreh Gogu.

Një nga shtyllat kryesore të paketës, sipas ministrit, lidhet me median dhe rolin e saj në demokraci. Gogu nënvizoi se ndryshimet në ligjin për median audiovizive synojnë rritjen e transparencës, veçanërisht për sa i përket pronësisë dhe subjekteve që qëndrojnë pas mediave dhe platformave televizive.

“Fuqizimi i medias në rolin e saj jetik për demokracinë do të vijë përmes këtyre ligjeve, por në radhë të parë ka të bëjë me mbrojtjen e gazetarëve dhe dekriminalizimin e shpifjes”, tha Gogu, duke theksuar se gazetarët do të çlirohen nga barra penale e shpifjes, kur veprojnë në mirëbesim dhe në ushtrimin e detyrës së tyre profesionale.

Ministri theksoi gjithashtu se një tjetër aspekt thelbësor i paketës lidhet me drejtësinë sociale dhe luftën kundër dhunës. Sipas tij, ndryshimet ligjore do të forcojnë mbrojtjen e familjes, grave, të miturve dhe grupeve më të dobëta, përmes përmirësimeve në Kodin Penal dhe mekanizmave referues e ndërhyrës, si në jetën publike, ashtu edhe në atë private dhe në botën digjitale.

Në fokus të paketës janë edhe ligjet që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë ndryshime në Kodin Penal dhe dy projektligje që forcojnë luftën ndaj narkotikëve, të cilat pritet të trajtohen më në detaje nga ministrja Adea Pirdeni.

Gogu theksoi se projektligjet janë tashmë publike, të konsultuara dhe kanë hyrë në fazën e diskutimeve në komisionet parlamentare, ku do të vijojë debati i detajuar. Në përfundim, ai ia kaloi fjalën ministres Pirdeni për të vijuar prezantimin e mëtejshëm të paketës ligjore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu