
Në mungesë të Kryeministrit, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka firmosur vendimin për shpalljen e tre zonave të reja me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e Bashkisë Kukës, në kuadër të zbatimit të ligjit të ri “Për Paketën e Maleve”.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, zonat që përfitojnë këtë status janë: Zona nr. 1, pjesë e Njësisë Administrative Bicaj, me sipërfaqe 253.55 hektarë; Zona nr. 2, po në Bicaj, me sipërfaqe 398.18 hektarë; dhe Zona nr. 3, në Njësinë Administrative Arren, me sipërfaqe 255.56 hektarë.
Shtrirja dhe kufijtë e këtyre zonave përcaktohen sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto. Në këto zona do të lejohen aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike, të cilat synojnë të nxisin zhvillimin lokal, punësimin dhe ruajtjen e ekosistemit malor.
Ligji “Për Paketën e Maleve”, i miratuar në vitin 2025, është një ndër nismat kryesore të qeverisë për ringjalljen ekonomike të zonave malore në Shqipëri. Ai parashikon lehtësira fiskale për bizneset që investojnë në këto zona, mbështetje për bujqësinë, blegtorinë, turizmin malor dhe agroturizmin, si dhe programe për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe dixhitale në komunitetet e largëta. Përfshi gjithashtu subvencione për familjet dhe fermerët e zonave malore, me qëllim frenimin e emigrimit dhe braktisjes së fshatrave.
Sipas qeverisë, Kukësi është një nga pikat strategjike të “Paketës së Maleve”, për shkak të potencialeve natyrore, turistike dhe bujqësore që ofron rajoni.




