Nga fshati Buzëmadh i Kukësit, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ftoi jo vetëm kuksianët por të gjithë shqiptarët në diasporë të investojnë në vendlindje, duke shfrytëzuar Paketën e Maleve, një seri masash nga qeveria për të shndërruar tokat e të parëve në histori suksesi.
“Paketa e Maleve është dritarja e re e mundësive për të rigjallëruar tokat e të parëve, për të ndërtuar bujtina dhe agro-turizëm dhe natyrshëm për të sjellë krenari e zhvillim në vendin tonë kudo. Lehtësi në procesin e legalizimit për të gjitha ndërtimet, certifikimin e pronave të trashëguara nga të parët tuaj.
Kjo ftesë u shkon të gjithë bashkatdhetarëve tanë në diasporë që të investojnë në pronat e trashëguara prej prindërve të tyre e për ta bërë Shqipërinë tonë model suksesi edhe në turizmin malor” deklaroi ministri Balla nga zonat me dëborë të Buzëmadhit.
Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet i qeverisë, duke u përforcuar me Paketën e Maleve, për të inkurajuar dhe mbështetur investitorët vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.