Nga Polis Gurshpata i Librazhdit, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u rikujton shqiptarëve brenda e jashtë vendit, projektligjin për turizmin malor që u miratua javën e kaluar nga qeveria.
Paketa e Maleve, një prej nismave më të fundit nga qeveria shqiptare për të rikthyer vendasit e emigruar që të investojnë në tokat e të parëve, do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit malor në Shqipëri.
“Sot në Polis Gurshpatë, Librazhd, një zonë e bukur me miq të shkëlqyer. Javën e kaluar miratuam në qeveri Paketën e Maleve, që do të rivitalizojë zonat malore dhe do të çlirojë një potencial krejtësisht të ri e të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit duke rritur ekonominë nëpërmjet nxitjes së investimeve në zonat malore,” shkruan Balla në Facebook.
“Me mundësinë për të fituar pronësinë mbi tokën për 1 euro dhe duke përfituar lehtësira fiskale për 10 vite, kjo paketë do të rrisë punësimin dhe përmirësimin e jetesës duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të planifikuar për këto zona,” përfundon mesazhi i tij lidhur me Paketën e Maleve, të cilën e ka promovuar mes emigrantëve jashtë Shqipërisë, që janë ndër ndihmësit dhe kontribuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendlindjes.