Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur këtë të hënë seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Gjatë seancës ka dëshmuar edhe ish-drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibegiri. Ai ka treguar se gjatë ekzaminimit të Murselit, nuk janë vërejtur probleme të afatgjata të sjelljes që nga fëmijëria e deri më tani.

Sipas Haxhibegirit, problematikat e mundshme afatshkurtra lidhen vetëm me momentin e arrestimit dhe periudhën deri tek ekzaminimi.

“Natyrisht ekzaminimi psikiatrit kryhet me biseda, vrojtim të sjelljeve, të folurit e të tjera dhe këto merren për bazë. Ne pikën 3 e kemi shpjeguar se kjo është bazuar në sjelljen e tij para gjatë edhe pas veprës”, ka thënë Haxhibeqiri.

“Qëndrimi i Murselit ka qenë koherent karshi gjendjes e situatës në të cilën ndodhej. Gjendja koherente do të thotë me e marrë për bazë të gjitha çështjet. Murseli ka qëndruar pa ndonjë telashe gjatë ekzaminimit edhe pse në momente për arsye të ngjarjes ka pasur ndërprerje dhe shqetesime”, ka shtuar tutje ai.

Murseli në aktakuzë ngarkohet edhe me atë se ia kishte dhënë 30 mijë euro Granit Plavës që ta bënte ekzekutimin e bashkëshortes së tij, në sytë e fëmijëve. Seanca e fundit në rastin e Liridona Ademajt ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti, ku pati dëshmuar Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në Bërnicë të Prishtinës. Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli./Tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu