
Biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku u mor në pyetje nga grupi i hetuesve që ndjekin çështjen e aksioneve të Aeroportit të Vlorës.
Ai ka dalë pas gati 3 orësh nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës.
“Unë isha këtu për të dhënë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar dhe si person i informuar me duket se është e drejtë që të shkoi dhe të tregoj kronologjinë e çështjeve.
Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne i jemi përgjigjur kallëzimit të tyre.
Isha këtu për kallëzimin që vëllai im ka bërë ndaj disa personave që ju e dini ndaj kujt, dhe un isha si person i informuar, për të plotësuar ose për të dhënë informata për këtë çështje.
A keni patur takime me Edi Ramën për këtë çështje?
Këtu nuk ka të bëjë asgjë qeveria. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria. Nuk ka qeveria këtu asgjë.
Unë e kam lënë në duart e drejtësisë dhe unë besoj shumë në vendimet gjyqësore dhe do të veproj sipas vendimeve gjyqësore.”
Syri Tv raportoi më herët se Pacolli po pyetej si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe për konfliktin me aksionerin Valdon Ademi dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora International Airport”, Valon Lluka.
Hetimet lidhen si me kallëzimin e Ademit, ashtu edhe me kallëzimin e bërë nga Emin Pacolli, ndaj tre personave: noterja Valbona Selimi, aksioneri në minorancë Valdon Ademi dhe ish-administratori Valon Lluka.
Në 1 shtator 2025, Asambleja e Përgjithshme shkarkoi Valon Llukan nga administrimi i VIA, duke emëruar në vend të tij Mentor Hajdaraj, për shkak të veprimeve të kryera pa autorizim të aksionerëve kryesorë.
Kallëzimi penal i Emin Pacollit akuzon Llukan, Selimin dhe Ademin për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim rrëmbimin e 47% të aksioneve. Pacollët mohojnë njohjen e noterës dhe pretendojnë se akti noterial është falsifikuar.
Nga ana tjetër, Valdon Ademi ka kallëzuar Emin dhe Behgjet Pacollin, si dhe Nelson Çelën, për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se ka blerë 47% të aksioneve tek VIA dhe ka kryer pagesën përkatëse.
Hetimet pritet të vazhdojnë me marjen në pyetje të personave të tjerë dhe ekspertimin grafik të kontratës së noterës Selimi, si dhe verifikimin e dokumentacionit financiar dhe bankar për kredi prej 56 milion euro.
Ndërkohë, Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar një kërkesë civile për sigurim padie ndaj VIA, duke pezulluar çdo vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve dhe të drejtën e votës së shumicës, Mabco Constructions SA, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit tek “2A Group” sh.p.k.
 
            
 
	