Pas akuzave të bëra publike nga biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli lidhur me “transferimin e paligjshëm të aksioneve” në shoqërinë VIA, ka ardhur reagimi i menjëhershëm nga Valon Lluka, i cili i ka cilësuar pretendimet “të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike”.

Në një deklaratë për opinionin publik, Lluka njofton se do të ndërmarrë padi për shpifje dhe dëmtim imazhi ndaj ish-presidentit Pacolli, duke theksuar se ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës të gjitha provat që vërtetojnë ligjshmërinë e veprimeve të tij.

“Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike. Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë të procedurave, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara edhe nga vetë z. Pacolli,” – thuhet në reagimin e Llukës.

Sipas tij, dokumentet që lidhen me transaksionet financiare, vendimet e aksionarëve dhe proceset e nënshkrimeve janë depozituar tashmë pranë Prokurorisë si prova zyrtare që dëshmojnë “transparencën dhe ligjshmërinë e plotë” të çdo veprimi të kryer.

“Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat dhe dokumentet që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht,” shton Lluka.

Në përfundim, ai thekson se mbetet “i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve”, i bindur se drejtësia do të vërtetojë faktet dhe do të sqarojë plotësisht çështjen që ka përfshirë biznesin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu