Lajm i trishtë për botën e muzikës rock.

Ozzy Osbourne, këngëtari ikonik i grupit të famshëm Black Sabbath, i konsideruar si një prej themeluesve të zhanrit heavy metal, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi u konfirmua të martën nga familja e tij, vetëm pak javë pas koncertit të tij të fundit lamtumirës.

“It is with more sadness than mere words can convey that we have to report that our beloved Ozzy Osbourne has passed away this morning. He was with his family and surrounded by love. We ask everyone to respect our family privacy at this time,” thuhej në deklaratën zyrtare.

Në vitin 2020, Osbourne kishte bërë publike se vuante nga sëmundja e Parkinsonit, pas një rrëzimi të rëndë.

Nga rebel në ikonë kulturor

Ozzy u bë i njohur për stilin e tij të errët, zërin e thellë dhe sjelljen shpeshherë skandaloze — përfshirë momentin famëkeq kur kafshoi kokën e një lakuriqi në një koncert në vitin 1981. Megjithatë, vite më vonë, ai u shfaq si një baba i ëmbël dhe komik në reality show-n “The Osbournes”.

Albumi debutues i Black Sabbath më 1969, me titullin Black Sabbath, është cilësuar si “Big Bangu” i heavy metal-it, ndërsa pasoi me legjendaren Paranoid në 1970, që përfshinte këngë si “War Pigs”, “Iron Man” dhe “Paranoid” — himne të këtij zhanri.

Jeta mes ekstremeve

Osbourne u largua nga Black Sabbath në vitin 1979 për shkak të problemeve me drogën dhe alkoolin, por u rikthye fuqishëm si artist solo me albumet Blizzard of Ozz dhe Diary of a Madman. Këngë si “Crazy Train”, “Flying High Again” dhe “You Can’t Kill Rock and Roll” mbeten klasike edhe sot.

Ai u fut dy herë në Rock & Roll Hall of Fame — në 2006 me Sabbath dhe në 2024 si artist solo.

Koncerti i fundit dhe homazhet

Në korrik 2025, Osbourne mbajti koncertin e fundit me formacionin origjinal të Sabbath në Mbretërinë e Bashkuar. 42,000 fansa morën pjesë në këtë ngjarje madhështore ku performuan Metallica, Guns N’ Roses, Slayer, Tool, Pantera dhe shumë të tjerë. Aktori Jason Momoa ishte prezantuesi i spektaklit.

Phil Anselmo i Pantera tha: “Pa Black Sabbath, nuk do ishim ky brez që jemi sot. Ata e ndryshuan gjithçka.”

Simbol i një epoke

Ozzy Osbourne nuk ishte thjesht një muzikant; ai ishte simbol i rebelimit, i zërit të klasës punëtore, i errësirës dhe euforisë së skenës. Ai mbeti besnik imazhit të tij deri në fund — flokët e gjata, grimi i zi, syzet rrethore dhe kryqi në qafë.

Në një nga tekstet e tij, ai këndonte:
“Njerëzit mendojnë se jam i çmendur sepse nuk buzëqesh kurrë… gjithë ditën mendoj për gjëra, por asgjë nuk më kënaq.”

Lamtumirë, legjendë. Nuk do të jesh kurrë një njeri i zakonshëm.

“Unë kam qenë një djalë i keq, kam qenë më lart se qielli… Por e vërteta është se nuk dua të vdes si një njeri i zakonshëm.” – Ozzy Osbourne, “Ordinary Man”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu