Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin polak TVP World, ka folur për situatën aktuale politike në vend, duke shprehur shqetësimin e saj për vonesën në konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sipas Presidentes, aktualisht po bëhen përpjekje për të konstituuar parlamentin, por mungesa e një marrëveshjeje politike mes partive ka shkaktuar një ngërç institucional.

“Është për të ardhur keq që qytetarët ende nuk e kanë parlamentin për të cilin kanë votuar dhe vullneti i popullit që doli nga zgjedhjet nuk është realizuar ende”, tha Osmani.

Ajo përsëriti thirrjen e saj për bashkëpunim politik dhe vënien e interesit të vendit mbi ndasitë partiake

“Shfrytëzoj këtë mundësi që edhe një herë t’i bëj thirrje të gjitha partive politike që të vendosin interesin e vendit mbi gjithçka tjetër dhe të punojnë për formimin e një shumice parlamentare që do ta çojë Kosovën përpara”, tha Osmani, transmeton Telegrafi.

Presidentja theksoi se Kosova ka ndërtuar një demokraci të fortë zgjedhore dhe historikisht ka pasur tranzicione të qeta të pushtetit, por aktualisht vendi ndodhet në një ngërç politik, të cilin e përshkroi si “më shumë bllokim sesa krizë”.

“Nuk do ta quaja krizë, është më shumë një ngërç politik sesa krizë, është si të thuash se nuk po ndodh asgjë, përkundër se po ndodh shumëçka”, u shpreh ajo.

Presidentja Osmani kritikoi mungesën e gatishmërisë së partive për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar një shumicë parlamentare.

“Ka mungesë të marrëveshjes politike dhe një polarizim të theksuar mes partive, kjo është për të ardhur keq sepse Kosova po humb shumë”, deklaroi Osmani

Ajo paralajmëroi se vonesat në krijimin e institucioneve po ndikojnë negativisht në proceset integruese të Kosovës dhe në mundësitë për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Sa më shumë kohë kalon pa parlament dhe pa një qeveri të dalë nga ai parlament, aq më shumë po humbasim projekte nga Bashkimi Evropian dhe dritare të rëndësishme mundësie, sidomos me administratën e re amerikane, me të cilën unë kam punuar”, shtoi Osmani.

Duke folur për rolin e saj si Presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme, Osmani tha se ka qenë aktive në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, por theksoi se ato duhet të kalojnë në Kuvend për ratifikim, apo të zbatohen nga një Qeveri funksionale.

“Kosova ka nevojë për një qeveri efektive me mandat të plotë dhe një parlament që mund të mbikëqyrë punën e saj,” shtoi presidentja. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu