
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi në Atlantic Council, ku u fol për orientimet strategjike të politikës së jashtme të vendit.
Në këtë takim me diplomatë dhe ekspertë ndërkombëtarë, Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe institucionet tjera euroatlantike, duke përmendur se mbështetja e partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë është jetike në këtë proces.
“Në rrugën e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike, mbështetja e partnerëve e aleatëve tanë është jetike”, ka deklaruar presidentja Osmani përmes një postimi në rrjete sociale.
Presidentja shtoi se përkushtimi i Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në mbetet prioritet i pandryshuar dhe thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit./Telegrafi/