
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas një njoftimi të Presidencës, ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.
“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftim.
Por Albin Kurti përballet me sfidë për formimin e qeverisë së re – i duhen të paktën 61 vota në Kuvend
Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, ka siguruar 48 ulëse, duke mbetur kështu 13 vota larg shumicës parlamentare. Për të arritur këtë numër, Kurti do të duhet të negociojë me partitë e tjera shqiptare ose me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Ndërkohë, partitë e mëdha opozitare, si LDK dhe PDK, janë shprehur skeptike për një koalicion me Vetëvendosjen, duke kërkuar më shumë “besim politik” dhe “stabilitet institucional”. LDK madje ka propozuar mundësinë e një qeverie teknike si zgjidhje kalimtare, në rast se nuk arrihet shumica e nevojshme.
Në këtë situatë, Kurti mund të përpiqet të sigurojë mbështetje nga deputetë të pakicave kombëtare apo të pavarur, për të shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat mbeten skenari alternativ nëse Kuvendi nuk arrin të votojë qeverinë brenda afateve kushtetuese.
Burime politike në Prishtinë thonë se negociatat pritet të intensifikohen ditët në vijim, ndërsa për momentin mbetet e paqartë nëse Kurti do të arrijë të sigurojë shumicën e nevojshme për një mandat të dytë si kryeministër.