
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Qeverisë në lidhje me politikat tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur të papranueshme që Kosova mban tarifa doganore ndaj aleatit të saj më të rëndësishëm, ndërsa ka zero tarifa doganore ndaj Serbisë.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Osmani theksoi se kjo çështje nuk lidhet vetëm me politika fiskale, por me pozicionimin strategjik të vendit ndërsa shtoi se kjo gjë është një turp i madh.
“Sot në prill 2025, Kosova ka zero tarifa ndaj Serbisë, kurse i ka vënë tarifa aleatit të vet ekzistencial, SHBA-së. Për mua kjo është turp, nuk ka turp më të madh”, tha ajo.
Presidentja u shpreh e zhgënjyer që propozimi i saj për heqjen e këtyre tarifave doganore nuk u mirëprit nga institucionet shtetërore.
“Unë nuk jam Presidente e Serbisë, jam Presidente e Kosovës dhe mbroj interesin e këtij shteti. Propozimet që vijnë nga qytetarët duhen dëgjuar, e aq më shumë ato që vijnë nga Presidentja. Unë pashë në fakt refuzim, në praktikë kjo është refuzim”, nënvizoi ajo.
Ndërkohë, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kundërshtuar publikisht qëndrimet e Presidentes, duke e kritikuar propozimin e saj për heqjen e tarifave doganore ndaj SHBA-ve, çka ka thelluar më tej përplasjet ndërmjet dy institucioneve më të larta të vendit./ shqiptarja